Menaxhimi i të Drejtave të Autorit

Menaxhimi individual dhe kolektiv i të drejtave të autorit

3/22/20245 min lexim

E drejta e autorit dhe të drejtat e përafërta i japin autorit një të drejtë ekskluzive për të autorizuar ose ndaluar të tjerët të përdorin veprën, ose i japin të drejtën në kompensim për shfrytëzimin që i bëhet veprës së saj apo të tij. Bazuar në këtë, është autori ose titullari i të drejtave nga vepra, që mund të vendosë të autorizojë ose ndalojë të tjerët të përdorin të veprën. Kështu, titullari i të drejtave është i autorizuar të vendosë në lidhje me mënyrën e menaxhimit të drejtave të tij.

Titullari i të drejtave mund të vendosë të menaxhojë të drejtat individualisht, ose në përputhje me ligjin të autorizojë një Organizatë të Menaxhimit Kolektiv (OMK) për ta bërë këtë, në llogari dhe në emër të tij.

Menaxhimi individual i të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta

Menaxhimi individual është sfidues; sepse së pari pronari do të duhet të jap licenca, për të gjithë ata që janë të interesuar të përdorin veprën e tij, duke rritur kështu edhe shpenzimet financiare dhe mundin për shumë transaksione ekonomike dhe punë juridike që duhej të kryhen. Së dyti, është shumë e vështirë ose e pamundur që përdoruesit e veprës të kontaktojnë pronarin e veprës, të kërkojnë licencë dhe të arrijnë një marrëveshje sa herë që dëshirojnë të përdorin një vepër të caktuar. Për të kapërcyer këto vështirësi, u prezantua Menaxhimi Kolektiv i të Drejtave të autorit, si një zgjidhje për sfidën e menaxhimit individual të të drejtave.

Sidoqoftë, përhapja e informacionit dhe veprave ka ndryshuar me teknologjinë digjitale dhe tani ka subjekte të ndryshëm dhe mbajtës individualë të të drejtave, që u japin autorizime përdoruesve drejtpërdrejtë, duke mos përdorur infrastrukturën e Organizatave për Menaxhim Kolektiv. Përveç kësaj, teknologjia po mundëson menaxhimin digjital të të drejtave (MDR), duke u siguruar titullarëve të të drejtave mundësinë që individualisht të sigurojnë qasje te përdoruesit dhe të vëzhgojnë përdorimin e veprave të tyre, sipas disa autorëve kjo mund të shkaktojë që Organizatat e Menaxhimit Kolektiv të mos jenë të nevojshme në të ardhmen.

Megjithatë menaxhimi digjital i të drejtave (MDD) kufizon përdoruesit e ligjshëm të përfitojnë nga përjashtimet po kufizimet e dhëna nga e drejta e autorit. Për më tepër, MDD nuk mund të ishte i pranishëm në "botën që nuk është online apo botën analoge" dhe të zëvendësonte Organizatat e Menaxhimit Kolektiv. Pra nuk mund të menaxhohet përdorimi i veprave të cilat janë në formë materiale apo fizike përmes MDD. Kështu që nevoja për menaxhimin kolektiv është akoma e pranishme dhe do të jetë edhe për një kohë të gjatë.

Menaxhimi kolektiv i të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta

Menaxhimi Kolektiv i të Drejtave (MKD) historikisht ka ndjekur menaxhimin individual. Kjo e fundit është një mundësi që pronari mund të zgjedhë, e njohur si menaxhim kolektiv fakultativ. Megjithatë, është e rëndësishme të përmendet se menaxhimi kolektiv mund të jetë një formë e detyrueshme apo e obligueshme e menaxhimit të të drejtave, kur pronari, mund të marrë vetëm kompensim për përdorimin e veprës së tij përmes këtij lloji të menaxhimit.

Në rastet kur me ligj është paraparë Menaxhimi Kolektiv fakultativ, autorët mund të zgjedhin nëse dëshirojnë të menaxhojnë të drejtat e tyre përmes OMK-ve vetëm nëse dëshirojnë. Menaxhimi i kolektiv i detyrueshëm ose obligativ është i lejueshëm vetëm në rastet kur autorit ka vetëm të drejtën në kompensim, dhe jo në rastet kur autori ka të drejtë ekskluzive të ndaloj apo autorizoj përdorimin e veprës së tij. Kur me ligj është i përcaktuar MKD obligativ, atëherë autorët janë të obliguar që të drejtat e tyre ti menaxhojnë vetëm përmes një organizate të menaxhimit kolektiv.

Menaxhimi Kolektiv i të Drejtave të Autorit si mundësi për autorët dhe shfrytëzuesit

MKD është një mundësi që titullari i së drejtës ka lidhur me menaxhimin e të drejtave të parashikuara nga ligji për të drejtat e autorit i një vendi. Vepra në fazat e saj fillestare, pas krijimit, përdoret bazuar në marrëveshjet midis pronarëve dhe përdoruesve individualë, kjo njihet si "shfrytëzimi primar" i veprës. Në fazën tjetër kur vepra bëhet e famshme, për shkak të angazhimit të shtëpive prodhuese dhe botuese, publiku e dëshiron atë dhe ka një kërkesë më të madhe për përdorimin e saj, ose kjo njihet sipas disa autorëve si "shfrytëzim dytësor" i veprës. Është shfrytëzimi dytësor i veprës i cili kërkon MKD, dhe është thelbësor, përkatësisht për ketë ku menaxhimi individual është shumë i vështirë ose i pamundur.

Shpërndarja e veprave dhe tregu për to ka tejkaluar parimin e territorialitetit, veçanërisht në mjedisin pa kufij në internet. Ka përdorues të veprave që nuk janë nga i njëjti vend me titullarin e të drejtës, kështu që mënyra e vetme për të licencuar përdorimin e veprës do të ishte duke caktuar një agjent në çdo vend të botës apo edhe qytet për të bërë licencimin e përdorimit të veprave. Përveç kësaj, është shumë e vështirë të gjesh se kujt i përkasin të drejtat nga vepra, kjo sepse me aktet ndërkombëtare nuk ka asnjë detyrim për të regjistruar një vepër në mënyrë që të sigurohet mbrojtja e të drejtës së autorit. Nuk është rasti si me markat tregtare ku për fitimin e të drejtave duhet bërë regjistrimi dhe është shumë lehtë dhe e mundur të gjendet se kush është pronari i markës. Në rastin e të drejtës së autorit një zgjidhje shumë e mirë dhe praktike është MKD, që bëhet nga Organizatat e Menaxhimit Kolektiv (OMK), që veprojnë në emër të titullarëve të të drejtave dhe licencojnë përdorimin e veprave të tyre tek shfrytëzuesit e veprave. Kështu, OMK-të ofrojnë licenca për radio stacione, transmetues, restorante, kafene dhe përdorues të tjerë të veprave.

OMK-të autorizojnë përdorimin e veprave, dhe në emër të autorëve mbledhin të hyrat që më pas u shpërndahen autorëve. Falë bashkëpunimit në mes të OMK-ve të vendeve të ndryshme bëhet edhe licencimi i veprave të huaja dhe në këtë mënyrë përfitojnë titullarët e të drejtave por edhe shfrytëzuesit sepse me një marrëveshje me OMK-në përkatëse vendëse sigurojnë të drejtat dhe janë më të sigurt në aspektin juridik, sepse mbrohen kështu nga shkelja eventuale e të drejtave. MKD krijon një marrëdhënie midis autorëve dhe OMK-ve nga njëra anë, dhe me përdoruesit në anën tjetër, marrëdhënie këto të rregulluara me statutet e OMK-ve por edhe me marrëveshjet e nënshkruara mes tyre.