Çfarë është patenta dhe çka mbrohet me patentë

Patenta është dokument juridik me të cilin mbrohet shpikja. Lexoni për me shumë se si të mbroni shpikjet dhe inovacionet tuaja. AMA IP-LEX u jep zgjidhje të shëndrroni këtë sfidë në mundësi.

4/21/20242 min lexim

Çfarë është dhe çka mbrohet me patentë?

Patenta është dokument juridik me të cilin mbrohet shpikja. Një patentë është një e drejtë ekskluzive e dhënë për një shpikje. Me fjalë të tjera, një patentë është një e drejtë ekskluzive për një produkt ose një proces që në përgjithësi ofron një mënyrë të re për të bërë diçka, ose ofron një zgjidhje të re teknike për një problem.

Patentat mbrojnë shpikjet që janë të reja, përmbajnë një hap shpikës dhe mund të aplikohen në industri. Nëse shpikja apo inovacioni juaj, qoftë një teknologji apo një proces transformues apo produkt, përmbush këto kushte, ju mund të aplikoni për mbrojtje të saj me patentë.

Si të aplikohet për patentë?

Për të marrë një patentë, informacioni teknik rreth shpikjes duhet të bëhet publik nëpërmjet një aplikimi për patentë. Aplikimi për një patentë përfshin hartimin e një aplikacioni të detajuar që përshkruan specifikat e shpikjes suaj (do të keni nevojë për një përshkrim specifik të pretendimeve apo kërkesave patentore, dhe vizatime nëse ka të tilla). Pasi të hartoni aplikimin atë duhet ta depozitoni në Agjencinë për Pronësi Industriale. Është një proces jo i thjeshtë dhe kërkon kujdes të veçantë dhe ndihmë të ekspertëve, por shpërblimet janë vërtet të vlefshme për përpjekjen tuaj.


Sa zgjat mbrojtja e një patente?

Mbrojtja e një patente zakonisht zgjat deri në 20 vjet nga data e aplikimit, duke ju dhënë të drejta ekskluzive mbi shpikjen tuaj gjatë kësaj periudhe. Patenta është e drejtë territoriale, pra vlen vetëm për vendin ku është fituar mbrojtja.

Eshtë me rëndësi të theksohet se patenta është një e drejtë negative. Pronari i patentës ka të drejtën ekskluzive për të parandaluar ose ndaluar të tjerët nga shfrytëzimi komercial i shpikjes së patentuar. Në kuptim praktik nënkupton që shpikja e patentuar nuk mund të krijohet, përdoret, shpërndahet, importohet ose shitet për qëllime komerciale nga të tjerët, pa pëlqimin e pronarit të patentës.

Si mund të përdoren të drejtat e fituara me patentë?

Pronari i patentës, mund të zgjedh që të krijoj një produkt ose të bëj një proces, të shes ose përdor shpikjen vetë. Ai mund të i jap leje një subjekti tjetër përdor shpikjen e tij për të një tarifë, pra të licencoj shpikjen. Por, pronari mund edhe të shesë patentën dikujt tjetër, i cili më pas bëhet pronar i patentës.

Licencimi i një patente nënkupton që pronari i patentës i jep leje një subjekti tjetër për të krijuar sipas shpikjes së tij, për të përdorur apo për të shitur shpikjen e saj/tij të patentuar. Kjo ndodh sipas kushteve të akorduara me kontratën e licencës (për shembull, përcaktimi i shumës dhe llojit të pagesës që i licencuari duhet t'i bëjë licencuesit), për një qëllim të përcaktuar, në një territor të përcaktuar dhe për një periudhë kohore të caktuar. Licencuesi apo pronari i patentës, vazhdon të ketë të drejta e pronësisë mbi shpikjen e patentuar.

Si mbrohen të drejtat e fituara me patentë

Të drejtat e fituara me patentë mbrohen me iniciativën e pronarit të së drejtës duke kërkuar mbrojtje në institucionet e zbatimit të ligjit, zakonisht mbrojtja kërkohet nga gjykata. Pra, përgjegjësia kryesore për monitorimin, identifikimin dhe marrjen e masave kundër shkelësve të një patente i takon pronarit të patentës.